Një verandë argëtuese për vogëlushët tuaj.
Ju mund të drejtoni energjinë e fëmijës tuaj pa shpenzuar shumë. Stimuloni krijimtarinë e tij në një mënyrë unike! Zgjidhjet e zgjuara do t’ju ndihmojnë të kurseni kohë dhe para. Mjafton një verandë dhe ja ku e keni zonën më të dashur të shtëpisë për të vegjëlit tuaj. Ne ju propozojmë disa alternative për shndërrimin e një verande të zakonshme në një oaz ngjyrash e lojrash për fëmijët.
Lojërat aktivizojnë më shumë shqisat dhe ndihmojnë zhvillimin e trurit. Sa më shumë që aktivitetet kërkojnë më shumë shqisa, aq më i lumtur është fëmija. Në një kënd të verandës tuaj mund të krijoni një hapësirë dedikuar fëmijëve. Lëvizja është shumë e rëndësishme për zhvillimin e vogëlushëve tuaj. Aksesorët si minitrampolina apo shilarësi nuk duhet të mungojnë në asnjë verandë.
Një mënyrë e dobishme për të shfrytëzuar energjinë e fëmijës është të zhvilloni që në moshë të re pasionin për kopshtarinë e mjedisin. Mësojeni fëmijën të zbulojë gëzimin e natyrës dhe të ndjejë sa bukur është të kujdesesh për bimët. Ju mund të veçoni një hapësirë të vogël të verandës që ai të jetë zyrtarisht kopshti i tij. Ndihmojeni të mbjellë disa perime dhe të kujdesenin së bashku për to. Për ta bërë kopshtarinë sa më tërheqëse, zgjidhni biimët që do e tërheqin atë. Mund të shtoni guralecë ose guaska deti. Padyshim fëmija juaj do të jetë i kënaqur!
Në ditët plot diell të verës, një shtëpi prej druri do të jetë perfekte. Me një investim minimal me disa dërrasa dhe me ndihmën e një marangozi ju mund të ndërtoni një strehëz për vogëlushët tuaj, e dobishme sidomos pasditeve të verës. Ai mund ta kthejë atë në strehëzën e tij të preferuar ku mund të vizatojë, ngjyrosë i mbrojtur nga rrezet e diellit. Ndërsa një pishinë e vogël do ta bënte verandën zonën më tërheqëse për vogëlushët gjatë muajve të verës. Pishinat për fëmijë gjenden në madhësi që variojnë sipas sipërfaqes së verandës që ju zotëroni.
Ka dhjetëra mënyra për ta kthyer edhe verandën më modeste në një kënd lojërash të shëndetshëm që do t’i kënaqë fëmijët tuaj në çdo stinë. Gjithçka që duhet është një verandë dhe pak imagjinatë.